Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shtatë kosovarë kapen duke hyrë ilegalisht në Kroaci, arrestohen dy persona

Shtatë shtetas nga Kosova, në mesin e tyre katër fëmijë, janë gjetur nga policia kroate në kufirin me Serbinë, ndërsa synonin hyrjen e paligjshme në Kroaci me ndihmën e një shtetasi serb 50 vjeç dhe një shtetasi kosovar 60 vjeç, të cilët u arrestuan, raporton “Index.hr”.

Policia kufitare kroate ka njoftuar se në vendkalimin kufitar të Tovarnikut ka ndaluar një veturë të drejtuar nga shtetasi serb, nën dyshimin se po transportonte tetë kosovarë përtej kufirit.

Nga hetimet u konstatua se ai së bashku me një shtetas kosovar synonin t’i kalonin në Kroaci ilegalisht një grua 29-vjeçare, dy burra të moshës 27 dhe 25 vjeç dhe katër fëmijë, të gjithë shtetas të Kosovës.

Shtetasi i Serbisë, 50-vjeçar, dhe ai i Kosovës, 60-vjeçar, u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer veprën “hyrje, lëvizje dhe qëndrim i paligjshëm në Republikën e Kroacisë”.

Shtetasit kosovarë janë transportuar në Qendrën Pritëse të Kërkuesve të Mbrojtjes Ndërkombëtare në Kutinë.