Kronikë

Shefi i gjendjes civile në Viti kërcënon drejtorin e OJQ “Avonet”, arrestohet

Drejtori i rrjetit të OJQ-ve “AVONET” Kenan Gashi, është kërcënuar nga shefi i shërbimit civil në komunën e Vitisë Merxhan Sahitit në lidhje me një hulumtim që ishte duke e bërë kjo organizatë.

Me këtë rast menjëherë nga policia e Kosovës është arrestuar i dyshuari dhe nga Gjykata Themelore në Gjilan i është shqiptuar masë e arrestit prej 48 orësh, raporton Koha Ditore.

“Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, departamenti i përgjithshëm ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për të pandehurin Merxhan Sahiti i cili është shef i gjendjes civile në Viti. Sipas kësaj shkrese më datë 26.11.2019, rreth orës 11:25, në Viti, në rrugën “28 Nëntori “, i pandehuri, me dashje, përmes telefonit, me fjalë, e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin Kenan Gashi, në atë mënyrë që i dëmtuari, i cili drejton OJQ ,, Avonet ”, ku organizata ishte duke bërë hulumtime lidhur me një rast të parregullsisë së dokumenteve për vazhdimin e pensionit të pleqërisë e që rasti ka të bëjë me gruan e axhës së të pandehurit Merxhan Sahiti. Me ç’rast i pandehuri e ka thirr të dëmtuarin në telefon dhe fillimisht e ka ofenduar e pastaj e ka kanosur se “çka ke t’i që përzihesh në këto punë, a ka mundësi të takohemi te kompania “ETC” në Viti se kam me ta q... familjen e kam me ta q.. nënën, se kam me ta nxjerr “gabzherrin”, thuhet në njoftim.

“Me këtë rast i pandehuri me veprimet e tij, të dëmtuarit i ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri në jetë”, thuhet midis të tjerash në kërkesën e Gjykatës për caktimin e masës së ndalimit.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprime penal, kanosja, nga neni 181 paragrafi 2 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Edhe në raportin 24 orësh të Prokurorisë Themelore në Gjilan, midis të tjerash thuhet se, “Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi dyshohet se përmes telefonit ka kanosur drejtorin e OJQ-së “Avonet”. Me aktvendim të prokurorit i njëjti është ndaluar për vepër penale “Kanosje””, thuhet në raport.