Një operacion i policisë së kryeqytetit i koduar “Chat Line 2”, ka shkatërruar një grup prostitucioni që kryenin seks online, duke arrestuar gjashtë femra dhe duke nisur hetimin në gjendje të lirë për tre të tjera.
Operacioni u kurorëzua gjatë ditës së djeshme e enjte, ku të arrestuarat janë L. B., 34 vjeçe; J. H., 19 vjeçe; E. T., 18 vjeçe; K. A., 32 vjeçe; I. U., 22 vjeçe dhe E. A., 22 vjeçe.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Xh. B., 18 vjeçe, E. L, 24 vjeçe dhe K. M., 23 vjeçe.
Nga hetimet e kryera është arritur të identifikohet dhe goditet veprimtaria kriminale ku 34-vjeçarja L. B., prej një periudhe kohore të gjatë, me anë të mashtrimit punësonte vajza të moshave të reja dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion, aktivitet i cili kryhej në apartamentin e saj në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shtatë njësi kompjuteri, shtatë ekrane kompjuteri dhe shtatë kamera për komunikime video online.
Ndaj të dyshuarave hetimet janë në vijimësi ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale, “Prostitucion”, “Shfrytëzim për prostitucion”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.