Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Rrahje masive dhe gjuajtje me armë për një gyp

Sot, rreth orës 12:00 një qytetar e ka informuar policinë e Stacionit Policor “Veriu” në Lubizhdë, Prizren, se në Lagjen “Dardani” disa burra po rriheshin dhe njëri prej tyre kishte një armë në dorë, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Pas hetimeve fillestare bëhet e ditur se dy të dyshuar, hëpërhë të panjohur për policinë, kishin shkuar në një punëtori ku përpunohet metali dhe kishin kërkuar që ta lakojnë një gyp. Me gjasë nuk kanë rënë në ujdi rreth pagesës për punën e kryer dhe rasti ka dalë jashtë kontrolli duke kaluar në rrahje. Gjatë përleshjes njëri nga punëtorët ka shkrepur disa fishekë nga arma kallashnikov e cila është gjetur e hedhur jashtë oborrit të punëtorisë. Përpos armës kallashnikov e prodhimit jugosllav janë sekuestruar edhe 22 fishekë dhe katër gëzhoja”, thuhet në komunikatën e Drejtorisë së Policisë Rajonale - Prizren.

Për të gjitha këto është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të vazhdohet me hetimin e rastit, ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme.