Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim sipas detyrës zyrtare sot pas publikimit të një video-incizimi me dyshim për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga dy zyrtarë policorë në një incident që ka ndodhur në Vushtrri në orët e pasdites, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Hetuesit e IPK-së pas publikimit të videos në medie janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast që kanë përfshirë marrjen e deklaratave si dhe sigurimin e disa video incizimeve”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se pas disa veprimeve hetimore fillestare, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një zyrtare policore dhe një rreshter policor) që janë përfshirë në këtë incident.
“Në konsultim me prokurorin kompetent për këtë rast do të zhvillohet një hetim në procedurë të rregullt me dyshimin se zyrtarët policorë të stacionit policor të Vushtrrisë kanë kryer veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në komunikatë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në Facebook ka shkruar se do të hetohen të gjitha rastet e tilla dhe se do të ketë profesionalizëm, transparencë e respektime të të drejtave të njeriut nga institucionet e sigurisë.