Rreth 5 km larg vendit ku të shtunën u aksidentuan dy policët, është gjetur trupi i policit Malësor Dashi, raporton KTV.
Njësitë e shpëtim-kërkimit, falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, gjatë operacionit të kërkimit, kanë arritur ta gjejnë trupin rreth orës 15:45 minuta. Është dita e gjashtë që po zhvillohet operacioni i kërkimit për trupat e dy policëve.
Zëdhënësi i Policisë ka thënë se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e trupit të policit tjetër, Armend Trena.
Ndërkohë, shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Kryeprokurori për rajonin e Ferizajt, Shukri Jashari, shkurt, ka konfirmuar për KTV-në se deri tash janë intervistuar 4 dëshmitarë por pa dashur të japë detaje të tjera për rastin.