Prokurori Naim Beka i Prokurorisë së Mitrovicës ka kërkuar dënimin e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, lidhur më akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014. Kurse i akuzuari Geci ka kërkuar nga gjykata që të veproj në bazë të provave, pasi thotë se bëhet fjalë për vetëmbrojtje.
Prokurori Beka në seancën e së mërkurës, kërkoi nga gjykata që Gecin ta shpall fajtor e ta dënoj sipas ligjit.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që ta këtë parasysh kërkesën e Halime Shaqirit si palë e dëmtuar, për kompensimin e dëmit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke kërkuar që e njëjta të jetë pjesë e shkresave të lëndës.
Geci kërkoi nga gjykata që të veproj në bazë të provave, sepse nga e gjithë kjo tha se bëhet fjalë për një vetëmbrojtje, për shkak të sulmeve dhe frikës së akumuluar.
Edhe
Gani Geci i përgjigjet vendimit të Gjykatës për vuajtje të dënimit
Pas deklarimeve të tyre, gjykatësi Radosllav Markoviq e caktoi shpalljen e aktgjykimit për 4 qershor 2021, në ora 14:30.
Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës. Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci kishte deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci kishte thënë se nuk ndihet fajtor.
Mirëpo, pranimi i fajësisë ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”. Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Edhe
Apeli vërteton dënimin me 3 vjet e 6 muaj burgim ndaj Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit
Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Gani Geci akuzohet se Ruzhdi Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.