Në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, janë duke vazhduar veprimet policore për parandalim dhe zbulim te veprimtarive te dyshuara ilegale.
Veprimet policore po realizohen mbi bazën e pranimit te informatave për veprimtari të ndryshme të dyshuara, ku me urdhër kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore ne Mitrovicë, me datat 24-25 nëntor ka kryer kontrolle në gjithsej 19 lokacione, ku prej tyre gjashtë kontrolle janë kryer në Mitrovicë, tetë në Vushtrri, dhe pesë në Skenderaj.
“Gjatë kontrolleve në lokacionet e ndryshme në Mitrovicë, pesë persona janë kontrolluar ku gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale nga policia: një pushkë automatike, një pushkë gjysmë automatike, dy fishekë të cal. 12GA, 3 karikator, pajisje për pastrim të armëve si dhe sasi të ndryshme të substancave narkotike”, njoftoi PK.
Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme në Vushtrri, tetë persona janë kontrolluar dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale sasi të ndryshme të substancave narkotike, dy mullinj për bluarje të substancës narkotike, letër për mbështjellës të substancave narkotike, dhe një karikator i zbrazët.
Si dhe, gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme në Skenderaj, pesë persona janë kontrolluar dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale: një pushkë ajrore, një sasi e municionit, një shufër metalike me mbishkrimin “Police” dhe një përzierje e duhanit me substanca të dyshuara narkotike, ka njoftuar tutje PK.
Personat e dyshuar, tek të cilët janë gjetur dhe konfiskuar gjësendet e kundërligjshme, me urdhër të prokurorit janë intervistuar dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar të armëve”; “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas intervistimit të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt.