Kronikë

Gjenden sërish armë e municion në veri të Mitrovicës

Arme e municion

Policia ka sekuestruar të martën armë, municion dhe mjete të tjera ilegale gjatë një kontrolli në një bodrum kolektiv në rrugën “Vasilije Ostroshki” në veri të Mitrovicës. 

Operacioni është kryer pas pranimit të një informacioni nga qytetarët, kanë njoftuar autoritetet.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar: tre armë të gjata, një tytë vazhduese, një kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishekë, një granadë dore tymuese, dy antiplumba ushtarakë, dy xhaketa ushtarake, një bluzë dhe një palë pantallona ushtarake, si dhe mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.

“Lidhur me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftim. 

Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.