Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia kërkon ndihmë për kapjen e të dyshuarit për grabitjen në Suharekë

Policia e Kosovës ka publikuar foton e njërit të dyshuarit për grabitjen e argjendarisë në Suharekë. I dyshuari Korab Gashi gjendet ende në arrati.

Policia po kërkon bashkëpunimin për kapjen e tij.

Në lidhje me grabitjen në Suharekë u arrestuan shtatë persona, njëri prej tyre është liruar. Një nga të dyshuarit për grabitje u qëllua për vdekje në Prishtinë gjatë operacionit policor për kapjen e tij. Ndërsa janë plagosur dy policë, e është lënduar një.

Po ashtu u bastis edhe një argjendari në Prishtinë në lidhje me grabitjen.

“Policia e Kosovës është duke hetuar rastin e grabitjes së armatosur dhe plagosjes së zyrtarit policor, të ndodhur me datën 22.11.2023 në argjendarinë në Suharekë. Lidhur me këtë rast, një person i identifikuar ende është në arrati dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë. Personi i cili po kërkohet është Korab (Zeqir) Gashi, i lindur me 01.03.1982 në Prishtinë, me numër personal 1014599319. Për identifikimin dhe arrestimin e tij kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë informata të rëndësishme. Të gjitha informatat do të trajtohen në mënyrë konfidencale nga ana e Policisë”, thuhet nga Policia e Kosovës.