Policia e Kosovës përmes një komunikate për media sqaron për disa aksione të ndërmarra në Graçanicë.
“Në harkun kohor prej tre ditësh janë raportuar disa raste të vjedhjeve të cilat janë trajtuar me përkushtim nga ana stacionit policor të Graçanicës.Të gjitha këto raste janë karakterizuar për nga vjedhja e gjësendeve nga vetura, e portofolave dhe parave të gatshme nga vetura, dhe për shkak të mënyrës së operimit janë dëmtuar xhamat e veturave në të cilat janë kryer vjedhjet”, thotë PK, transmeton Koha.net.
Më tutje thuhet se në dy nga të gjitha rastet e ndodhura është raportuar edhe për vjedhje të veglave të punës apo mjeteve teknike. Në një nga rastet është raportuar për vjedhjen e një veture.
“Pas një pune operative dhe hetimore që ka bërë policia e stacionit të Graçnicës, e njëjta veturë është gjetur nga ana e policisë dhe i është kthyer në posedim pronarit. Në një rast të veçantë të ndodhur në fshatin “Suhodoll”i cili nga ana e prokurorit të shtetit është cilësuar si shqetësim dhe dëmtim prone, policia ka arrestuar katër persona dhe rastin e ka referuar në prokurorinë e shtetit. Me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit janë liruar më pas në procedurë të rregullt, dhe ndaj tyre po zhvillohet hetim i mëtutjeshëm përkitazi me rrethanat që karakterizojnë rastin”, thuhet në komunikatë.
Të gjitha rastet e sipër cekura janë duke u hetuar me përpikëri nga ana e policisë me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave, si dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Policia shton se në të njëjtën kohë mbështetur në të gjitha vlerësimet analitike që i janë bërë situatës së sigurisë në këtë komunë me rrethinë si edhe në të gjithë rajonin e Prishtinës, shikuar nga të gjitha këndvështrimet, të gjithë parametrat vlerësues tregojnë për një nivel të lartë të sigurisë dhe të pacenueshmërisë.