Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se ajo si institucion ftohet për intervenim edhe nga qytetarët serbë të veriut.
Në komunikatë thuhet se Policia në veri po punon me përkushtim në ruajtjen e rendit dhe sigurisë për qytetaret e të gjitha komuniteteve pa dallim.
“Në këtë fushëveprim gjatë dy ditëve të kaluar bazuar në raportimet e qytetarëve Policia e Kosovës ka trajtuar dy raste të ndara ku hetuesit rajonalë të Mitrovicës Veri kanë ndërmarr veprime profesionale dhe veprat penale janë adresuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në të dyja këto raste sipas njoftimit të Policisë qytetarët e përfshirë kanë qenë të komunitetit serb.
“Në rastin e parë, pas raportimit nga pala ankuese (f/k/s) në stacionin policor me datë 03.06.2023, Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit rajonal nga stacioni policor Mitrovicë veri kanë ndërmarr veprimet policore dhe në konsultim me prokurorin janë iniciuar rastet për ‘mospërfillje e urdhrave të gjykatës’ dhe sot vepra penale ‘lëndim i lehtë trupor’ sipas kodit penal të RKS-së. Ndërsa, në rastin e dytë, me datën 04.06.2023, pas pranimit të një telefonate se në një fshat të Leposaviqit ka një problem familjar, Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit dhe ka ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin dhe adresimin e rastit në fjalë. Gjatë trajtimit të rastit është konstatuar se dy personat-vëllezër (m/k/s ) të përfshirë në rast (rrahje) ndërmjet vete kishin marr lëndime trupore dhe kishin pranuar tretman mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Edhe
Policia: Po i trajtojmë informacionet për rrëmbimin e serbëve në veri
Në bashkërendim me prokurorin kujdestar njësitet kompetente policore njërin nga personat e përfshirë e kanë dërguar në mbajtje, përderisa thuhet se rasti është iniciuar si ”lëndim i lehtë trupor” deri në vendimet tjera nga organet e drejtësisë.
“Të gjithë qytetarët pa dallim komuniteti duhet të llogarisin në punën dhe mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe ne jemi këtu që të ofrojmë sigurinë që atyre ju duhet për zhvillimin e një jetë të qetë pa brenga dhe në harmoni me njëri tjetrin”, thuhet në njoftim.