Kronikë

Pesë vjet burgim shtetasit të Shqipërisë për shitblerje të narkotikëve në Kosovë

burgu

Gjykata në Gjakovë e ka dënuar me pesë vjet burgim dhe gjobë 2,000 euro një shtetas të Shqipërisë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve. 

E.Ç. akuzohet se duke i koordinuar veprimet me të pandehurin J.B., e transportoi narkotikun nga Shqipëria në Kosovë përmes rrugëve malore. Në akuzë thuhet se substanca narkotike u deponua në shtëpinë e J.B., për ta lehtësuar transportin, pasi shtëpia e tij është e fundit në fshatin Devë, në brezin kufitar me Shqipërinë, nga ku mund të kalohet lehtë në territorin e Shqipërisë në këmbë për rreth 40 minuta. 

“I pandehuri E.Ç., i gjen dhe kontakton blerësit e mundshëm të narkotikëve dhe, përmes numrit të tij të telefonit +355..., komunikon me të pandehurin J.B., për t’u siguruar nëse ai ndodhet në shtëpi, pasi blerësi do të vijë për të marrë substancën narkotike. Më pas, ai e udhëzon të pandehurin J.B., që t’i marrë blerësit në vendet e caktuara dhe t’i dërgojë në shtëpinë e tij, si dhe e udhëzon për sasinë e substancës narkotike që duhet t’ua japë blerësve, duke iu referuar me termat ‘i pardjeshmi’ dhe ‘i sotmi’”, sqarohet në njoftimin e gjykatës.

Gjatë kontrollit të kryer pas shtëpisë së të pandehurit J.B., janë gjetur dy çanta me substancë narkotike të llojit kanabis me peshë të përgjithshme 32 kg e 092 gramë.