Kronikë

Për vrasje në vitin 2016, njëri dënohet me 18 e tjetri me 3 vjet e gjysmë burgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve S.LL. dhe F.LL. për veprat penale Vrasja e rëndë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit, i akuzuari S.LL. për veprën penale Vrasja e rëndë është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 18 (tetëmbëdhjetë) vitesh, ndërsa për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është liruar nga akuza.

I akuzuari F.LL. për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 3 (tre) vitesh e 6 (gjashtë) muaj, ndërsa për veprën penale Vrasja e rëndë është liruar nga akuza.

“Të pandehurit në vitin 2016 pas marrëveshjes paraprake me personat NN, me dashje që të privojnë nga jeta tani të ndjerin F.B. për shkak të konflikteve të mëhershme, në atë mënyrë deri sa i ndjeri F.B. ishte në veturë, të pandehurit i kishin dalë në pritë dhe bashkë me personat NN kishin shtënë në drejtim të veturës tjetër ku ndodhej F.B., me ç’rast kishin qëlluar me armë të dëmtuarin dhe pasi i njëjti kishte arritur në atë gjendje të dalë nga vetura, të pandehurit S.LL. dhe F.LL. e kishin ndjekur pas duke shtënë në drejtim të tij dhe bashkë me personat NN e kishin goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda të cilave nuk iu ka mbijetuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.