Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin e dytë në Gjilan, me dyshimin se ka lënduar rëndë një person më 22 tetor të këtij viti. I dyshuari i parë ishte arrestuar pas kryerjes së veprës penale, ndërsa i dyti u arrestua të hënën, më 12 dhjetor. Konflikti, sipas Policisë, ka ndodhur për shkak se viktima i kishte 10 euro borxh të dyshuarit.
“Viktima është goditur me drapër në dorë dhe lëndimet i ka marrë në gishta”, i tha KOHËS zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Shaban Azizi.
I dyshuari i dytë është dërguar në mbajtje, e ndaj tij u iniciua rasti “lëndim i rëndë trupor”.
“Me datën 12.12.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se në muajin tetor kishte lënduar viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.