Kronikë

Parandalohet tregtia ilegale në Leposaviq, konfiskohet mall dhe dy vetura

Policia ka parandaluar tregti ilegale duke sekuestruar paketa me filtër të cigareve dhe dy vetura të dyshuara të mërkurën mbrëma në fshatin Koshtovë të Leposaviqit.

Siç është njoftuar të enjten, personat e dyshuar kanë deklaruar se malli është sjellë nga një individ prej Novi Pazarit në fshatin Soqanicë të Leposaviqit, e më pas është ngarkuar nga ta nëpër automjete për destinim në Mitrovicë.

“Gjatë realizimit të kontrollit të këtyre automjeteve është konstatuar se kanë të ngarkuar paketa me filtër të cigareve. Sipas deklaratave të personave të dyshuar, malli është sjell nga një person prej Novi Pazarit-Serbi në fshatin Soqanicë-Leposaviq, ku më pas ata e kanë ngarkuar mallin nëpër automjete për destinim në Mitrovicë. Rasti është trajtuar nga njësitë e Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Leposaviq”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokuroria kompetente dhe me urdhër të saj janë konfiskuar dy nga automjetet dhe malli, përderisa është iniciuar rasti ”Tregti e ndaluar” në procedurë të rregullt.