Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim të dyshuarit për vrasjen e argjentinases në Fushë-Kosovë

paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka informuar sot se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj shtetasit zviceran, i dyshuar për vrasjen e shtetases së Argjentinës në Fushë-Kosovë.

Të dyshuarit E.N., i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit E.N dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, thuhet në njoftim.

Dyshohet se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të ndjerën e ka privuar nga jeta duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç ‘rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore, e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.