Gjykata Themelore e Pejës e ka dënuar me 1 vjet burgim të pandehurin A.R. nga Istogu, për veprën penale "tejkalim të mbrojtjes së nevojshme", thuhet në njoftimin e gjykatës të enjten.
Sipas njoftimit, i pandehuri, më 13 maj të këtij viti, e ka sulmuar dëshmitarin M.M. në një parking, fillimisht duke e penguar të lëvizë me veturë, e pastaj duke e goditur me kaçavidë.
“Vëllai i të dëmtuarit A.M., ka tentuar të kyçet në rrugën kryesore mirëpo para veturës së tyre ka qenë e parkuar një veturë dhe e njëjta ka shkuar pak prapa, ku dëshmitari A. është ndalur dhe i ka rënë burisë 2-3 herë. Në momentin kur dëshmitari A. ka tentuar prapë për ta marrë për t’u kyçur në rrugën kryesore, i pandehuri me veturën e tij lëviz përsëri nga prapa ku dëshmitari A. ndalon me veturë dhe fillon t’i bije prapë burisë. Nga vetura del i pandehuri, i cili shkon në drejtim të dëshmitarit duke e fyer dhe sharë”, thuhet në njoftimin e gjykatës, derisa më pas, i dëmtuari del nga vetura dhe nis ta sulmojë të pandehurin.
Sipas njoftimit, i pandehuri merr në veturë kaçavidën dhe e sulmon disa herë të dëmtuarin në dorë, kraharorë dhe brinjë, derisa i dëmtuari thuhet se përdori shufër metalike.
“Me këto veprime, i pandehuri A.R., duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, ka kryer vepër penale ‘vrasje e mbetur në tentativë’”, thuhet tutje.
Pas shpalljes së aktgjykimit, të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është lëshuar të mbrohet në liri.