Persona ende të panjohur në orët e mëngjesit të së martës kanë thyer derën dhe kanë hyrë e kanë vjedhur 22 kompjuterë në një internet-kafe në qytetin e Klinës.
Pronari i këtij lokali, Ardian Toplani, ka thënë për KOHËN, se vlera e dëmit që i është shkaktuar mbërrin në 30 mijë euro.
“Kanë hi i kanë vjedhë rreth 30 mijë euro vlerë kompjuterë që kanë qenë të teknologjisë së fundit. Vjedhja ka ndodhur gjatë orëve të mëngjesit. I kanë thyer dyert e kanë hy brenda. Nuk e di si kanë mund me i marrë 22 kompjuterë”, tregon pronari për humbjet që i kanë shkaktuar hajnat, që sipas tij, “kanë qenë profesionistë”.
Lokali i tij është dy katësh dhe kompjuterët, siç tha Toplani, i ka mbajtur në katin e dytë.
“Hajnat kanë marrë kohë me i zbrit poshtë e me i ngarkua. Disa televizorë si duket nuk kanë mbërri me i ngarkua dhe i kanë lënë në tokë, sikurse edhe katër PC-4, që si duket nuk ua ka zënë automjeti”, thotë Toplani.
Lokali, sipas tij, ka qenë i mbuluar me kamera të sigurisë, por siç tha ai, edhe incizimet e kamerave i kanë marrë hajnat me vete.
“Policia ka ardhur dhe tash po shpresoj që e zbulojnë vjedhjen edhe pse nuk kam fortë shpresë që institucionet e zbardhin rastin dhe gjej diçka prej mallit, edhe pse malli veç ka shkuar”, shprehet Toplani.
KOHA ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë Rajonale të Pejës dhe ai ka thënë se sapo t’i ketë informacionet do t’i japë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime konkrete për të zbuluar rastin dhe për të identifikuar dhe arrestuar personat që kanë kryer veprën.
{gallery}