Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim për të dyshuarin në Ferizaj që rrahu bashkëshorten

arrestim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit M.P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal - Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 23.05.2021, në banesën e tyre në Ferizaj, i pandehuri me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij A.M..

“Pas një fjalosje ia kap dy duart dhe e godet me dorë në syrin e majtë, me ç’ rast e dëmtuara pëson lëndime trupore, për të cilat posedon raport mjekësor nga QKMF-Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Gjykata me rastin e vendosjes pati parasysh faktin dhe pretendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, të cilët kontestonin kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se edhe me masa më të buta do të sigurohej prezenca e të pandehurit në procedurë, si dhe do të pamundësonin të njëjtin që të përsërisë veprën penale, por gjykata vlerëson se aplikimi i masave më të buta (arrestit shtëpiak), por edhe i masave tjera, nuk është i mjaftueshëm për të pamundësuar që i pandehuri të mos kryejë vepra penale të tilla.