Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj një personi për dhunë në familje

Foto: Koha / ilustrim

Një muaj paraburgim i është caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë të pandehurit M.Z për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Sipas një komunikate për media nga Gjykata, i pandehuri do të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike derisa t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri M.Z në liri mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarat ku mund t’ju rrezikojë jetën apo shëndetin e tyre dhe ekziston rreziku se mund të përsëris ose të kryejë vepra tjera penale”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se i pandehuri M.Z për shkak të mosmarrëveshjeve me të dëmtuarat - nënën dhe motrën e tij, kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi ndaj të tyre dhe si pasojë e këtyre veprimeve iu kishte shkaktuar lëndime trupore, ndjenjën e frikës dhe ankthit dhe të pasigurisë për jetë.