Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve dy pronarëve të kompanisë “Prishtina Jet”, M. K. Dhe A.B. nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “mashtrim”.
Të dy akuzohen se kanë mashtruar bashkatdhetarët duke iu shitur bileta fiktive. Në komunikatë thuhet edhe se M. K. Dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “evazion fiskal”.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.K. dhe A.B. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatë.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse të pandehurit M.K. dhe A.B. gjenden në liri, ekziston rreziku potencial i arratisjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale në këtë të fazë të procedurës, ngase të njëjtit kanë zhvilluar aktivitet të kundërligjshëm dhe atë në bashkëkryerje duke dëmtuar një numër të konsiderueshëm të qytetarëve përmes agjencisë së tyre.