Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim ndaj të pandehurve S.I. dhe H.H., për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Mashtrimit’’.
Në njoftimin e Prokurorisë të shtunën thuhet se të dyshuarit, nga 16 dhjetori i vitit 2020 e deri më 30 qershor të vitit 2022, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar dy bashkëpronarëve të kompanisë “Prishtina Jet” në Prishtinë për pagesa të biletave fiktive të aeroplanit.
“Sipas kërkesës, nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B., bashkëpronar të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” në atë mënyrë që përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i ‘’Prishtina Jet’’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër, ku personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘’Prishtina Jet’’, përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, kurse mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF, kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF, ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dy të dyshuarit S.I. dhe H.K., janë arrestuar të premten.