Një person është arrestuar për të shtënat me armë, të dielën në Bernicë, ka bërë të ditur të mërkuren Policia e Kosovës.
Mediat serbe kishin shkruar të dielën për këtë rast, duke thënë se ishte gjuajtur në afërsi të disa serbëve të Kosovës. Për këtë gjë ka reaguar edhe “Lista Serbe”.
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi dërguar mbrëmjen e së mërkures ka bërë të ditur se janë identifikuar dy persona, “meshkuj kosovarë të moshës 17 dhe 18 vjeç, të cilët kanë qenë të përfshirë në rast”.
“Në bazë të hetimeve paraprake, të njëjtit kanë qenë duke ngarë biçikletat në atë zonë dhe në afërsi të shkollës fillore kanë hasur në një grup personash me të cilët kanë pasur një zënkë të çastit. Pala ankuese dyshohet se kanë ekspozuar mjete të mprehta (thika), kurse njëri nga të dyshuarit ka ekspozuar një armë (pistoletë). Të dyshuarit janë larguar nga aty dhe dyshohet se në largim e sipër dyshohet se kanë shtënë një herë me armë në ajër”, shkruhet në njoftimin e PK-së.
Në njoftim po ashtu e bërë e ditur se sipas hetimeve, nuk ka pasur probleme të mëhershme mes personave të përfshirë në rast dhe se incidenti ka qenë një mosmarrëveshje e çastit.
“Pas, intervistimit të dy personave të përfshirë në rast, me aktvendim të prokurorit, njëri i dyshuar është dërguar në mbajtje prej 48 orëve, përderisa arma e zjarrit është konfiskuar”, shkruhet në njoftim.