Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një i arrestuar për drogën e djeshme në Berat – 3 të tjerë të arrestuar në Korçë për 12 kg kanabis

Një person i arrestuar në flagrancë si person i dyshuar dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim janë rezultati i operacionit masiv antidrogë të koduar “Bogova” dhe të zhvilluar në zonën Skrapar-Berat, ku u sekuestruan afro 1.9 tonë lëndë narkotike marijuanë dhe 3 armë zjarri.

Në pranga ka rënë Islam Zylyftari, 56 vjeç nga Skrapari, ndërsa në kërkim janë shpallur 50-vjeçari F.B. nga Përmeti, 80-vjeçari M.Z. dhe 62-vjeçari V.Z. nga Durrësi. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe 40 fishekë, raporton Tch.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Operacioni masiv antidrogë i Policisë së Shtetit erdhi pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, se në disa banesa të fshatit Përparim kishte lëndë narkotike. Si rezultat, u bastisën banesa e shtetasit Islam Zylyftari, ku u gjet një kamion i ngarkuar me bimë narkotike, me peshë rreth 820kg; banesa e shtetasit V.Z. të shpallur në kërkim, ku u gjetën 50 thasë me marijuanë, me peshë rreth 485 kg; si dhe banesa e shtetasit M.Z. të shpallur gjithashtu në kërkim, ku u gjet një sasi prej 5 kg.

Por operacioni nuk është ndalur me kaq, pasi edhe në rrugën nacionale Poliçan-Bogovë, në vendin e quajtur “Lëmi”, janë gjetur 133 qese transparente me lëndë narkotike të llojit marijuanë, me peshë rreth 576 kg, duke e çuar kështu peshën totale të drogës së sekuestruar në 1.888 kg.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Korçë, kapen me 12 kg kanabis - arrestohen 3 bashkëpunëtorë

Tre shtetas janë arrestuar në flagrancë nga policia e Korçës, të akuzuar si bashkëpunëtorë mes tyre për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, pasi u janë sekuestruar 12 kg lëndë e dyshuar kanabis sativa.

Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e narkotrafikut në Drejtorinë e Korçës arrestuan shtetasit Pandeli Gjylapi, 26 vjeç; Stavri Fani, 24 vjeç; si dhe Lorenc Çipi, 29 vjeç; që të tre banues në Korçë, teksa lëviznin ditën e shtunë me një mjet “Ford”, me targa AA 315 PT, të drejtuar nga Pandeli Gjylapi, në lagjen në 10 të qytetit juglindor.

Në kontrollin trupor të ushtruar fillimisht u gjetën 2.6 gramë kanabis në xhepin e xhupit të drejtuesit të mjetit, ndërsa të tjerët kanë tentuar të hedhin nga automjeti një qese farmaceutike me peshë 50 gramë hashash. Por kontrollet vijuan edhe në shtëpinë e Pandeli Gjylapit, ku u gjetën 12 kg kanabis në bidona plastikë, një peshore elektronike, disa qese farmaceutike, një grirëse për hashash, si dhe një vlerë monetare prej 90 eurosh dhe 237.500 lekësh.

Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.