Kronikë

Një grua gjendet e vdekur në një objekt në ndërtim brenda oborrit të QKUK-së

QKUK

Një 40-vjeçare është gjetur pa shenja jete të enjten mbrëma në një objekt në ndërtim brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për KOHËN se dyshohet për vetëvrasje. 

Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar mjekët emergjentë në vendin e ngjarjes.  

“Rreth orës 20:00, është pranuar informata për një trup të pa jetë, në një objekt në ndërtim e sipër brenda oborrit të QKUK-së, në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se, trupi i viktimës, femër, rreth 40 vjeç është pa shenja jete. Mbështetur në informacionet e para nga vendi i ngjarje, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje”, ka thënë ai.

Policia në koordinim me prokurorin e shtetit, thuhet se ka nisur hetim mbi vdekjen dhe po analizon të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje.

QKUK: 40-vjeçarja që vdiq brenda oborrit, po trajtohej në Klinikën e Psikiatrisë

2 o. më parë / 22 maj 2025 22:03
QKUK

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se 40-vjeçarja që dyshohet se ka bërë vetëvrasje të enjten në një objekt në ndërtim brenda oborrit të këtij institucioni, ishte duke u trajtuar në Klinikën e Psikiatrisë. 

“Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), njofton opinionin publik se një paciente e moshës rreth 40-vjeçare, e cila ishte duke marrë trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ndërruar jetë si pasojë e vetëvrasjes”, thuhet në njoftim. 

Më tej QKUK-ja ka thënë se pacientja ishte e hospitalizuar në repartin e hapur të kësaj klinike.

“Në këtë repart pacientët nuk mbahen të izoluar dhe lejohet dalja jashtë, në përputhje me protokollet mjekësore dhe të drejtat e pacientëve. Menaxhmenti i QKUK-së, pasi ka pranuar informatën ka kërkuar raport të detajuar nga drejtoria e Klinikës së Psikiatrisë. Aktualisht kanë nisur procedurat për shqyrtimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga QKUK-ja.