Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një e vdekur e disa të lënduar në tri aksidente në Prishtinë e Deçan

Një e vdekur e tre të lënduar është bilanci i sotëm nga aksidentet që kanë ndodhur në Prishtinë dhe Deçan.

Një grua 57 vjeçare ka vdekur sot si pasojë e një aksidenti në lagjen “Veternik” të Prishtinës. E njëjta sipas njoftimit nga Policia është goditur nga një veturë e cila i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30.

“Njësiti i hetimeve të trafikut rrugor janë duke punuar në identifikimin e ngasësit të automjetit si dhe në ndriçimin e rrethanave të këtij aksidenti”, thuhet në njoftimin policor.

Ndërkaq po në kryeqytet dy persona kanë mbetur të lënduar nga përplasja e tri veturave në Hajvali të Prishtinës. Policia ndërkaq ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë tri vetura. Nuk është bërë e ditur nëse viktimat kanë pësuar lëndime të rënda.

E në fshatin Pozhar të Deçanit nga një aksident trafiku lëndime ka marrë një person. Siç ka bërë të ditur policia rajonale, personi i lënduar është dërguar në Spitalin e Pejës me autoambulancë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20.

Ndërkaq sipas raportit të Policisë të publikuar sot, në 24 orët e fundit kanë ndodhur 31 aksidente me dëme materiale dhe 16 të lënduar. Këto shifra përfshijnë aksidentet e ndodhura nga dita e shtunë deri sot në orën 8 në mëngjes, kur edhe është dërguar raporti. Ndërkaq Policia ka bërë të ditur se ka shqiptuar 1236 tiketa në trafik.