Kronikë

Nga një vit burgim dy ish-zyrtarëve të Fushë-Kosovës për keqpërdorime me dhënie shtetësisë

Dy ish-zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovë janë dënuar me nga një vit burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorime me dhënie të shtetësisë.

L.I. dhe B.Sh. po ashtu u është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike në periudhë dyvjeçare.

Sipas këtij aktgjykimi, konfiskohen edhe certifikatat e qytetarëve të përshkruara si në aktakuzë dhe anulohen regjistrimet në regjistrat e Gjendjes Civile, pasi këto veprime-regjistrime janë rezultat i kryerjes së veprës penale.

Të akuzuarit janë obliguar që ta paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale secili veç e veç, dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurorja Merrushe Llugiqi, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare ka thënë se pas administrimit të të gjitha provave dhe dëshmive në seancat e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale, kanë ardhur në përfundim se të akuzuarit në fjalë janë kryerës të veprës penale për të cilën akuzohen.