Kronikë

Nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për vjedhje në Prizren

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren konfirmon se ka caktuar nga një muaj paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për vjedhje, transmeton KOHA.

Paraburgimi u është caktuar të pandehurve me iniciale A.A dhe B.S. që të dy nga Malësia e Re. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës 16.09.2020 nga ora 12:00 dhe do të zgjasë deri më datën 16.10.2020.

Gjykata thotë se ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit, ngase të pandehurit në ditën kritike më datë 10.05.2020, në orët e mbrëmjes, në fshatin Shpenadi, Komuna e Prizrenit, saktësisht në shtëpinë e të dëmtuarit me iniciale T.S., të pandehurit me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, ia marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit të lartcekur, në atë mënyrë që fillimisht merren vesh mes vete dhe me të dyshuarin me iniciale H.B., bëjnë planin dhe me veturën e markës “Golf 2” të cilën e drejtonte i pandehuri me iniciale A.A., shkojnë në vendin e incidentit, e parkojnë automjetin afër shtëpisë së të dëmtuarit, dhe kalojnë pengesën, murin e shtëpisë i cili ishte me rrethojë, hynë brenda dhe me forcë e hapin derën e shtëpisë ku ishin të vendosura mjetet e punës.

“Nga aty arrijnë të marrin: një makinë prerëse (fleks), një kosë për prerjen e barit dhe një makinë shpuese-hilt e pastaj i bartin me veturë duke i dërguar fillimisht në shtëpinë e të pandehurit me iniciale A.A e më vonë me të njëjtën veturë shkojnë në fshatin Mushtisht dhe i shesin personave të panjohur në shumën prej 60 euro dhe të njëjtat i ndajnë mes vete, me ç‘rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material”, thuhet në komunikatë.