Në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, është arrestuar një shtetas serb, i cili akuzohet për vrasjen e 33 kosovarëve 23 vjet më parë në lagjen Kristal në Pejë, njoftoi agjencia Anadolu Agency, të martën.
Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në lagjen Kristal në Pejë.
Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë i ditur.
Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës. /AA