Kronikë

Ndalohen për 48 orë edhe dy të plagosurit në Viti

Vrasje - plagosje - Shiriti i policise - forenzika - Policia

FOTO: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 15:25) - Prokuroria Themelore në Gjilan të enjten ka bërë të ditur se u ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve edhe dy të plagosurve N.B. dhe A.B. në Fshatin e Ri të Vitisë. Ndalim për 48 orë iu shqiptua edhe të dyshuarit N.H.

I plagosuri N.B. dhe i dyshuari N.H. dyshohen për “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe të pandehurin A.B. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Dyshohet se gjatë ditës së sotme, më 08 Gusht 2024, rreth orës 10:07 minuta, në Fshatin e Ri, në komunën e Vitisë, të pandehurit  N.B. dhe A.B, janë plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri, të cilët për shkak të plagëve të marra kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan, të cilët për momentin janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj të pandehurve brenda afatit ligjor “do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë penale”.


Dy të plagosur në Viti, arrestohet një i dyshuar

(12:11) - Dy persona kanë mbetur të plagosur paraditen e së enjtes në Fshatin e Ri të Vitisë. Policia ka konfirmuar se ka arrestuar një të dyshuar.

Sipas Policisë, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Në vendngjarje janë konfiskuar dy armë zjarri.

“Hetues policor nga njësiti i hetimeve në koordinim me Prokurorin e Shtetit aktualisht janë duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.