Seanca e shqyrtimit fillestar për vrasjen e afaristit Bedri Rexhepi është shtyrë të martën shkaku i mungesës së pajisjeve teknologjike me kapacitete të bartjes së përmbajtjeve voluminoze. Pasi që materialet për lëndën nuk kanë mundur t’u barteshin palës së dëmtuar dhe asaj të akuzuar, gjyqtarja Medie Bytyqi e caktoi seancën e re për 14 nëntor
Mungesa e pajisjeve për bartjen e provave voluminoze rreth vrasjes së afaristit Bedri Rexhepi, nga prokuroria te përfaqësues të palëve të përfshira, është bërë shkak për shtyrjen e seancës së shqyrtimit fillestar për rastin.
Seanca e së martës duhej ta niste procesin gjyqësor për vrasjen e afaristit, identiteti i trupit të të cilit është konfirmuar javën e shkuar. Për vrasjen e tij në paraburgim janë vënë dy të dyshuar – Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.
Prokurori Armend Hamiti ka njoftuar për shtyrjen e seancës, teksa ka bërë të ditur se provat te përfaqësuesit ligjorë të të akuzuarve dhe të familjarëve të viktimës nuk kanë mundur të barteshin, si pasojë e mungesës së pajisjeve të tjera teknologjike, krahas DVD-ve, që kanë kapacitete për ngërthimin e përmbajtjeve më voluminoze.
“Ashtu siç e ceka, ka shumë incizime dhe se nuk ka pasur mundësi të barteshin në DVD. Kam kërkuar, për shkak se në prokurori nuk kemi pajisje përveç DVD-ve me të cilat furnizohemi. Nuk kemi pajisje për palët, ashtu siç quhet ‘external storage’ apo memorie e jashtme apo USB, dhe kam kërkuar nga avokatët që t’i sjellin këto dhe të njëjtit i janë përgjigjur kësaj kërkese”, ka thënë Hamiti.
Krahas kësaj, Hamiti ka thënë të ketë pasur telashe edhe në qasjen te dokumentet elektronike nga zyrtarët e teknologjisë informative të prokurorisë.
“Personi përgjegjës për pjesën teknike ka vërejtur se janë disa vështirësi në disa CD, hapja nuk është bërë dhe atëherë është kërkuar edhe një herë nga policia, domethënë kopja e parë të sillet në mënyrë që kur të dorëzohet secilën ta hapim e ta shohim”, ka shtuar prokurori.
Shkaku i telasheve përfaqësuesit ligjorë të të akuzuarve dhe ata të palës së dëmtuar janë pajtuar me vendimin për shtyrjen e seancës.
“Të dorëzohen provat dhe të caktohet shqyrtimi fillestar në një afat sa më të shkurtër të mundshëm dhe të lihet mundësia që mbrojtja të jetë sa më efikase dhe e drejtë”, ka thënë avokati i Nexhat Vllasaliut, Refki Piraj.
“Ne pajtohemi që gjykata të japë kohë shtesë, ashtu siç rezulton si e drejtë, si e drejtë që secili i akuzuar dhe mbrojtës i tyre ta ketë mundësinë të pajiset me shkresat e lëndës dhe vetëm atëherë të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë”, ka thënë avokati i familjes së Rexhepit, Besnik Berisha.
Në konsultim me palët gjyqtarja Medie Bytyqi ka caktuar seancën e re për 14 nëntor.
Jeton e Nexhat Vllasaliu akuzohen për veprat penale “vrasje në bashkëkryerje” dhe “dëmtim të varreve apo kufomave”. Prokuroria pati njoftuar se motivi i vrasjes së Rexhepit ka qenë përfitimi i rreth 30.000 eurove, shumë kjo të cilën të dyshuarit besonin se posedonte i ndjeri.
Vetura e braktisur e Rexhepit ishte gjetur në prill, në Komunën e Graçanicës, teksa trupi në fund të shtatorit, në Komunën e Novobërdës.