Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalimin e pesë personave të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” në fshatin Lupç të Podujevës.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, i ka thënë KOHËS të mërkurën se personat e dyshuar që po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë nën masë sigurie.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e pesë personave të dyshuar në këtë rast për shkak të veprës penale ‘vrasje në tentativë’. Personat e dyshuar të cilët janë duke u trajtuar në QKUK janë nënë masën e sigurisë nga Policia”, ka thënë Ulaj.
Pesë të dyshuarit, dy prej të cilëve janë mbi moshën 50-vjeçare, kanë marrë trajtimin mjekësor. Njëri prej tyre është në rrezik për jetën, ka njoftuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku.
Prokuroria ka njoftuar se të përfshirët në këtë rast janë familjarë mes vete.
Të shtëna me armë në Lupç, katër të plagosur - njëri në rrezik për jetën
Katër persona kanë pësuar lëndime trupore në Lupç të Podujevës, tre prej tyre me armë zjarri e njëri me thikë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtënat me armë janë evidentuar në orën 16:00, e hetuesit policorë po merren me rastin.
“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë)”, i ka thënë KOHËS zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Njëri prej të plagosurve është në rrezik për jetën, tjetri është në gjendje të rëndë e dy të tjerë kanë plagë të lehtë, ka njoftuar Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se një person është arrestuar, e rasti po trajtohet si “vrasje në tentativë” me qëllim të zbardhjes së ngjarjes.
“Nga hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje mes disa personave (familjarë), në fshatin Lupç, si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të thikës, janë lënduar katër (4) persona, të cilët janë dërguar për ta marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Një (1) person i dyshuar në këtë ngjarje është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar. Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet hetimore në drejtim të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti”, ka thënë për KOHËN zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.