Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Lirohet pas 24 orësh i dyshuari për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ka njoftuar se e ka liruar të dyshuarin për krime lufte, T.B., ani pse vetë kishte urdhëruar arrestimin e tij gjatë ditës së djeshme [e martë].

Policia kishte arrestuar 52-vjeçarin në pikën kufitare në Merdar, pasi dyshohej për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë.

Por në njoftimin e sotëm, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se nuk ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e paraburgimit.

“Prokuroria Speciale njofton se pas shqyrtimit të kallëzimit penal të Policisë së Kosovës, respektivisht Njësia për Hetimin e Krimeve të luftës, kjo prokurori ka vlerësuar se nuk ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj personit të ndaluar, andaj PSRK ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm. I njëjti ishte ndaluar gjatë ditës së djeshme 10.10.23, për shkak të dyshimit se është i përfshirë në kryerjen e veprës penale të Krimeve të luftës”, thuhet në njoftim.