Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Lepencit i ulet niveli për kërkimin e dy policëve

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga ora 16:00 kanë vendosur për ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të Kaçanikut, për kërkimin e dy policëve.

“Në kuadër të angazhimeve dhe planifikimeve të vazhdueshme, në interes të kërkimit dhe gjetjes së kolegëve tanë, sot (02.05.2018) rreth orës 16:00 Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Fshatrat e rajonit të Kaçanikut nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes janë: fshati Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar dëshirojmë t’i lajmërojmë të gjithë banorët e këtyre fshatrave që të jenë të njoftuar mbi fillimin e qarkullimit të ujit në kanalet e ujitjes dhe njëherit të kenë kujdes të shtuar rreth qarkullimit të banorëve, në veçanti fëmijëve dhe mjeteve të transportit rrugor në afërsi të tyre”, thuhet në njoftim.

Në njoftim PK-ja ka thënë se shkaqet e aksidentit pas të cilit janë zhdukur dy policët mbeten ende të panjohura dhe se për të pestën ditë me radhë po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre.
 

Siç është bërë e ditur deri më tani, në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse, si: Prokuroria, AME-ja, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët me përkushtimin më të madh, të pakursyer, për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të kolegëve tanë, ku gjetja e tyre mbetet si qëllimi primar i yni.

Artikuj të ngjashëm