Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për dy zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar të mërkurën kërkesën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj D.H. dhe I.I., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”, në kuadër të punëve në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se nga data 4 prill 2022 e deri më 26 janar 2024, në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, D.H., në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në këtë zyrë dhe I.I., në pozitën e referentit, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimi të dobisë për të dënuarit, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, thuhet se dy të dyshuarit në mënyrë të kundërligjshme nuk i kanë dorëzuar (kanë fshehur) urdhëresat e Gjykatës Themelore në Prishtinë për nëntë lëndë.

Me këto veprime, dy të dyshuarit thuhet se kanë mundësuar që të dënuarit t’i shmangen mbajtjes së dënimit në kohëzgjatje të ndryshme apo pagesën e sanksionit penal ose kundërvajtës.

Andaj me këto veprime, D.H. dhe I.I., po dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Edhe Paraburgim ndaj 3 zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, dyshohen për keqpërdorim detyre e ryshfet Arbëri Paraburgim ndaj 3 zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, dyshohen për keqpërdorim detyre e ryshfet

Prokuroria vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke nisur me dyshimet për pengim të procedurës penale dhe duke pasur parasysh vetë peshën e veprës penale.

Ndryshe, të dyshuarit janë ndaluar të hënën (29 janar) nën dyshimet për korrupsion. /BetimipërDrejtësi