Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj dy të arrestuarve për sulmin ndaj portierit të Ballkanit

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të arrestuarve F.R. dhe B.K., të dyshuar për sulmin ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri.

Prokuroria, në një komunikatë të lëshuar të hënën, ka thënë se dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në turmë dhe huliganizëm.

Portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, u sulmua nga tifozët gjilanas të dielën gjatë derbit mes Gjilanit e Ballkanit. Ndeshja u ndërpre në çastet e fundit.

Frashëri ishte dërguar pa ndjenja në Spitalin e Gjilanit, por gjendja e tij është stabile dhe ai u lirua po të dielën.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit më datë 03.04.2022 rreth orës 15.20h, në Gjilan, në Stadiumin e Qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja futbollit në mes të SC-Gjilani dhe KF Ballkani, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hyn në fushën e futbollit, bashkë me një trumë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri i pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke , tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F, i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”, thuhet nga Prokuroria.