Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kapen në Shkodër 205 kg lëndë narkotike, 5 të arrestuar

Tiranë, 4 korrik- Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në kuadër të operacionit të koduar “Prekalori” arrestoi 5 shtetas, pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe sekuestroi 205 kg lëndë narkotike dhe 5 automjete që përdoreshin për transportin e kësaj lënde.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, u arrestuan Z.K., 53 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh (kryetar i grupit të strukturuar kriminal); G.M., 31 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror” (bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të grupit); K.M., 28 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar); E.H., 29 vjeç, banues në Malësi e Madhe (anëtar); Xh.D., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin.

Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në prani të shtetasve Z.K. dhe G.M., të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal.

“Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë. Hetimet në lidhje me këtë procedim janë kryer në bashkëpunim mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, thekson MB.

Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip fugon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës” parashikuar nga nenet 238/2 dhe 301 të Kodit Penal/atsh.

Artikuj të ngjashëm