Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kapen 67 kg drogë në Rahovec, një i arrestuar

Foto: Ilustrim

Njësiti Antidrogë në Gjakovë sot ka konfiskuar 67 kilogramë marihuanë në qytetin e Rahovecit, me ç’rast ka arrestuar një të dyshuar.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se sot, me datë 07.05.2019 rreth orës 14:00, njësiti i antidrogës në Gjakovë i cili njësit është në kuadër të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë në Policinë e Kosovës, ka siguruar informacione relevante se një person i dyshuar në Rahovec mban në posedim në pronën e tij sasi të substancave të dyshuara narkotike.

“Pas vlerësimit të situatës, janë aktivizuar njësitet kompetente policore në rajonin e Gjakovës dhe në konsultim edhe me organet e drejtësisë është realizuar një kontrollë/bastisje në objektet e që dyshohej se ishin në shfrytëzim nga personi i dyshuar. Nga realizimi i këtij operacioni kontrolli ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e tri (3) çantave/paketimeve najloni, ngjyrë të zezë të mbushura me substancë në formë bari ngjyrë e gjelbër e dyshuar si substancë narkotike e llojit Marihuanë dhe pesha e tyre ka rezultuar të jetë 67 kilogram”, ka thënë Hoxha për Koha.net.

Tutje ai ka shtuar se njësitet kompetente policore, përfshirë edhe ato të krimteknikës kanë kryer procedurat e nevojshme në vendin e ngjarjes për sigurimin e dëshmive materiale.

Edhe Në Gjakovë arrestohen katër të dyshuar për shitblerje të narkotikëve Kronikë Në Gjakovë arrestohen katër të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

“Me këtë rast një person është arrestuar nga policia, i cili me urdhër të prokurorit kompetent ndalohet për 48 orë për vazhdimin e procedurave tjera ligjore”, ka thënë Hoxha për Koha.net.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe po punon me përkushtim dhe intensitet në luftimin e dukurive negative dhe veprave penale në përgjithësi të cilat në çfarëdo forme cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë dhe kryesit e këtyre veprave penale të dalin para organeve të drejtësisë.