Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ish-tuneli i ushtrisë u shndërrua në tunel për kultivimin e kanabisit në Krujë

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se në Krujë është finalizuar operacioni antikanabis i koduar “Tuneli”.

Pas kontrolleve të shtuara për evidentimin e ambienteve të mbyllura që shfrytëzohen për kultivim të kanabisit me anë të llambave, në Krujë është zbuluar një tunel i përshtatur me llamba, për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas njoftimit të Policisë në këtë aksion janë sekuestruar 390 bimë kanabis, llamba, aspiratorë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Sipas Policisë ai ka qenë një ish-tunel i ushtrisë.

“Në zonën e mbrojtur mjedisore Krastë, u evidentua një tunel (ish-tunel i ushtrisë), në një zonë të vështirë kalimi, i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 390 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, sistem ndriçimi me 30 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë, 30 rritës të energjisë elektrike, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në njoftim.

Në këtë operacion janë identifikuar dhe arrestuar 3 persona të dyshuar për veprimtari kriminale.

“H. S., 61 vjeç dhe R. H., 58 vjeç, të dy banues në banues Halil, Krujë, si dhe A. S., 21 vjeç, banues Fushë Krujë. Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. S. ushtronte edhe veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit”, thuhet në njoftim.

Edhe Droni i policisë kap 45-vjeçarin duke vaditur kanabisin në Krujë Kronikë Droni i policisë kap 45-vjeçarin duke vaditur kanabisin në Krujë

U arrestuan edhe 2 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), si dhe 2 të tjerë në kërkim, pasi dyshohet se kishin lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike, me të cilën furnizohej tuneli i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.