Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka realizuar një aksion inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Në total janë inspektuar 69 subjekte ekonomike, kryesisht ato që lidhen me fushën e hotelierisë dhe turizmit, më saktësisht motelet dhe vilat.
Inspektorati ka mbyllur 26 motele e vila, për shkak të mosregjistrimit të bizneseve si dhe mungesës së pëlqimit për plotësimin e kushteve minimale.
“Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 26 subjekteve ekonomike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj operatorëve ekonomikë, që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, inspektorët e tregut kanë shqiptuar 27 masa ndëshkuese. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe institucionet e tjera pjesëmarrëse do të vazhdojnë me aktivitete të ngjashme edhe në të ardhmen, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe krijimit të një mjedisi të sigurt dhe të rregullt për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës”, është njoftuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kuadër të së cilës vepron Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.