Kronikë

I arrestuari për kontrabandim të barnave recidivist, më 2017 u gjobit me 1500 euro

Personi i arrestuar të enjten pasi në barnatoren e tij në Prishtinë Policia gjeti barna pa banderola që dyshohet të jenë kontrabanduar, ka qenë i dënuar për “prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” në vitin 2017. Atë kohë ishte gjobitur me 1500 euro, pati konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Të enjten, Policia njoftoi se në dy barnatore në kryeqytet ka arrestuar pronarët për “prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore”, “kontrabandim të mallrave” dhe “tregti të ndaluar”, pasi në barnatoret e tyre inspektorët dhe policia sekuestruan “sasi të madhe të barnave pa banderola”, që dyshohet se janë kontrabanduar. Të arrestuar, siç ka mësuar KOHA, janë G.S. dhe Sh.I.

Për G.S. KOHA Ditore pati raportuar edhe më 2016 për veprën e dyshimtë dhe një vit më pas edhe për dënimin e tij.

Më 27 korrik 2016, gazeta pati shkruar se si ampulat e dhuruara nga një organizatë amerikane për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës patën përfunduar në barnatore private. Ampulat që ishin gjetur në barnatoren e tij, ishin identifikuar përmes numrit serik.

Për këtë rast, një vit më pas, G.S. ishte dënuar me pesë muaj burgim, por dënimi i ishte zëvendësuar me gjobë.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se personi G.S ka qenë i akuzuar për veprën penale Prodhimi dhe Shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore nga Neni 266 par.2 të KPRK-së ku është dënuar nga Gjykata me 5 muaj burg, dënim i cili është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 1500 euro . Ju njoftojmë se ky rast është gjykuar nga një gjyqtare individuale e Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës në vitin 2017 për gazetën.

Poshtë raportimi i gazetës KOHA Ditore më 27 korrik 2016:

Barnat nga donacioni amerikan për QKUK-në përfundojnë në barnatore private

Një ampulë Imepinem Cilastatinë në mars të këtij viti e ka blerë në barnatore private në Prishtinë një zyrtar shtetëror. Kjo ampulë në Kosovë është futur si donacion për QKUK-në nga organizata amerikane “Project Hope”. Ampulat të cilat janë gjetur në këtë barnatore nga Inspektorati Farmaceutik janë identifikuar përmes numrit serik. Seria e këtyre produkteve është identike me serinë e produkteve të donacionit, i cili nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së ka përfunduar në disa klinika

PRISHTINË, 26 KORRIK - Ampulat e llojit Imepinem Cilastatinë në nëntor të vitit kaluar janë dorëzuar në formë donacioni në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës përmes një ceremonie nga organizata amerikane “Project Hope”. Pa kaluar as tre muaj këto produkte kanë dalë në shitje në barnatore private. Ampulat të cilat janë gjetur në një barnatore në Prishtinë nga Inspektorati Farmaceutik janë identifikuar përmes numrit serik. Seria e këtyre produkteve është identike me serinë e produkteve të donacionit, i cili nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së ka përfunduar në disa klinika të ndryshme. Secili produkt që hyn në Kosovë e ka një seri të veçantë identifikimi dhe serinë e njëjtë nuk mund ta kenë dy produkte të ndryshme.

Në Ministrinë e Shëndetësisë pranojnë se disa nga këto ampula kanë përfunduar në tregun privat, por deklarojnë se nuk është kompetencë e tyre që të hetojnë se si ka përfunduar. Dyshimi për vjedhje ka filluar pasi një zyrtar shtetëror për të cilin MSH-ja nuk ka treguar se kush është, e ka blerë për nevoja personale barin e donacionit i cili është shitur në barnatore.

Në QKUK ndërkaq i kanë bërë thirrje Inspektoratit Farmaceutik që të kërkojë përgjegjësi nga barnatorja private ku është gjetur kjo sasi e barnave, që të tregojë se nga kush janë furnizuar me këto barna.

Gazeta e ka siguruar shkresën e Inspektoratit Farmaceutik pasi kanë hasur barnat e donacionit në biznese private. Kjo trupë inspektuese pasi ka vërtetuar se këto barna kanë dalë nga QKUK-ja, kanë shkuar për inspektim në Barnatoren Qendrore të QKUK-së.

“Gjatë kontrollit në Barnatoren Qendrore në QKUK është marrë i gjithë dokumentacioni për pranimdorëzim të produktit Imipinem Cilastatinë 500 +500 mg me numër serik KO616. Kërkohet nga pala që përmes njësive kërkuese të përgatisë dokumentacionin e ordinimin e produktit tek pacientët”, thuhet në këtë dokument.

MSH-ja ka sqaruar se shitjen e këtij produkti në tregun privat e kanë identifikuar rreth tre muaj më parë. Këtë produkt për nevoja personale e ka blerë një zyrtar në një barnatore në Prishtinë. Ky zyrtar, pasi e ka parë që të dhënat e barit korrespondojnë me të dhënat e donacionit, e ka lajmëruar rastin në Inspektorat.

“Rasti në fjalë është i dt. 31.3.2016, ku Inspektorati Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Mjekësore /IFPPM pas informatës nga një zyrtar se ka blerë produktin mjekësor IMIPENEM/CILASTATINE, me numër serik KOO6116, dhe dt. skadimi 04/2016, menjëherë ka dalë në inspektim, ku janë inspektuar një numër i madh i subjekteve, me ç’rast në një subjekt është gjetur produkti mjekësor IMIPENEM/CILASTATINE, me numër serik KOO6116, dhe dt. E skadimit 04/2016, gjithsej 4 ampula, i cili produkt konstatohet se ka rrjedhë nga donacioni ‘HOPE’ për QKUK-në”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Informim në MSH.

Në QKUK nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me këtë rast. Drejtori i këtij institucioni, Curr Gjocaj, ka deklaruar se janë në dijeni për këto produkte, por nuk e dinë se si kanë rrjedhur gjërat.

“Ne jemi njoftuar se sasi e këtij produkti ka përfunduar në barnatore private. Ne i kemi thënë Inspektoratit që ta zbardhin këtë rast, dhe në bazë të gjetjeve të tyre të marrim masa”, ka thënë Gjocaj. Ai nuk ka mohuar se mund të ketë keqpërdorim edhe me të madh të barnave të dedikuara për pacientët e këtij institucioni.

“Ka gjasa, edhe pse ne e kemi rritur shumë kontrollin e shpenzueshmërisë së produkteve. Por që t’i zbulojnë këto çështje janë institucionet e tjera kompetente”, ka thënë ai.

Ampulat Imipenem Cilastatinë janë antibiotikë të gjeneratës më të re. Në krahasim me antibiotikët e tjerë, çmimi i tyre është shumë më i lartë. Ky lloj bari më së shumti përdoret në Klinikën e Kirurgjisë dhe në Klinikën e Mjekimit Intensiv.

Gazeta ka provuar të kontaktojë drejtorin e Klinikës së Kirurgjisë, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave. Drejtori i Mjekimit Intensiv, Nehat Baftiu, ka thënë se kjo gjë është lehtë e verifikueshme.

“Unë për herë të parë po dëgjoj dhe po më vjen keq që ka ndodhur një situatë e tillë. Por kjo gjë mund të vërtetohet përmes organeve përkatëse”, ka thënë ai. Baftiu është treguar pesimist nëse me legjislacionin aktual mund të ndalet vjedhja e produkteve mjekësore. Ai ka thënë se përderisa mjekët e sistemit publik kanë të drejtë të punojnë edhe në sektorin privat, gjëra të tilla mund të ndodhin.

“Nuk mundem me i ruajt punëtorët. Kjo çështje nuk do të ishte problematike nëse stafi do të kishte të drejtë të punojë vetëm në njërin sektor”, ka deklaruar ai.

Përveç dyshimeve për keqpërdorim të barnave të këtij donacioni, QKUK-ja ka raste kur refuzon përdorimin e barnave donacion nga “Project Hope”. Gazeta para disa muajsh ka raportuar se QKUK-ja kishte kërkuar të blinte sasi të mëdha të ampulës Pegentyron Alfa-2a. Një kësi lloj ampule kushton rreth 70 euro, ndërsa në QKUK ka sasi të madhe të këtij produkti të dhuruar nga “Project Hope”.

Megjithatë Klinika e Infektivës nuk ka pranuar t’i përdorë këto ampula tek pacientët. Në vend të tyre kjo klinikë përdor ampula të ngjashme, por të cilat i blejnë nga një operator ekonomik.

Project HOPE është fondacion i themeluar nga ish-presidenti amerikan Dwight Eisenhower, në vitin 1958, ndërsa kontribuon me ndihma në shumë vende të botës, në fushën e furnizimeve strategjike mjekësore me barna, pajisje mjekësore dhe trajnime shëndetësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo organizatë për gjashtë vjet ka siguruar rreth 40 milionë dollarë amerikanë ndihma, kryesisht citostatikë për trajtimin e kancerit në Kosovë.

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje nga “Project Hope”. Vlatko Uzevski, përfaqësues për rajon i “Project Hope”, nuk u është përgjigjur pyetjeve. E kontaktuar nga gazeta, Ambasada Amerikane ka thënë që është në kompetencë të tyren të japin deklaratë për këtë çështje.

QKUK-ja e cila ankohet për mungesë të buxhetit për barna vazhdimisht ka refuzuar donacione. “Koha Ditore” vitin e kaluar kishte zbuluar se Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ia ka mbyllur dyert një donacioni në vlerë gjysmë milioni euro të kompanisë së barnave “PFIZER”, që është prodhues amerikan. Ky institucion nuk i ka kthyer përgjigje donatorit asnjëherë për donacionin.

Donacioni ishte menduar të bëhej për Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

“PFIZER” kishte planifikuar që me vlerë të 500 mijë eurove të mbulonte nevojat me preparatin somatotropinë, preparat ky që përdoret për fëmijët të cilët kanë ngecje në rritje. Në kohën kur QKUK-ja e kishte “injoruar” këtë donacion, Klinika e Pediatrisë i kishte lënë për tre muaj fëmijët pa ampula Somatotropinë. Në mungesë të tyre prindërit e fëmijëve janë detyruar ta blinin këtë preparat në barnatore private. Çmimi për një ampulë në vitin 2014 ka qenë rreth 130 euro.