Kronikë

Hysri Selimi deklarohet i pafajshëm për spiunazh

Hysri Selimi

Hysri Selimi, i akuzuar për spiunazh, është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës.

Sipas aktakuzës, Selimi për gati 16 vjet ka bashkëpunuar me Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë. E në aktakuzën e siguruar nga KOHA thuhet se me kërkesë të BIA-s, Selimi i është bashkuar grupit terrorist të ISIS-it në Siri për të dërguar informacione mbi shqiptarët që kanë marrë pjesë në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Avokati i Selimit, Ali Beka, propozoi ndërprerjen e paraburgimit me arsyetimin se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për ta mbajtur të akuzuarin në paraburgim.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurori special, Bekim Kodraliu.

"Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore është vërtetuar se i njëjti ka operuar vazhdimisht në territorin e Serbisë...pastaj dënueshmëria e veprës penale...pastaj rreziku i përsëritjes së veprës penale...andaj propozojnë vazhdimin e masës së paraburgimit", tha Kodraliu.

Gjyqtari Leon Përlaska vendosi që të refuzohet propozimi i mbrojtësit për ndërprerjen e paraburgimit pasi gjykata vlerëson se vazhdojnë kushtet, sa i përket sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe theksoi se ekziston edhe një aktvendim në fuqi për mbajtjen e të pandehurit në paraburgim.

Selimi u pati arrestuar më 6 maj të këtij viti, nën dyshimin se i ka dërguar informata BIA-s së Serbisë, dhe që prej asaj kohe ai ka qenë në paraburgim. I njohur me pseudonimin “Abusead Kosova”, Selimi është dënuar në vitin 2022, pasi që është vërtetuar se ka qenë pjesë e ISIS-it gjatë luftës në Siri.

Në aktakuzë ofrohet edhe transkriptimi i deklaratës që Selimi e ka dhënë para Prokurorisë e në të cilën ka thënë se për të udhëtuar drejt Sirisë ka kërkuar nga BIA një shtëpi në Ulqin, me vlerë prej 500 mijë eurosh, një veturë të mirë dhe pagesë mujore prej 1000 eurosh.

Si pikë kontakti, sipas aktakuzës, Selimi e ka pasur drejtorin për Luftimin e Terrorizmit në kuadër të BIA-së, Igor Babiq, dhe një person tjetër. Me ta ai ka pasur takime në Vranjë, Nish dhe Bujanovc, thuhet në aktakuzë.

Akti akuzues përmend gjithashtu se Prokuroria i është drejtuar Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) për informata lidhur me Babiçin.

Prokuroria, sipas aktakuzës, ka evidentuar tetë kalime të Selimit në pikën kufitare te Dheu i Bardhë brenda 2023-tës dhe 2024-tës, gjatë të cilave ai ka udhëtuar drejt Serbisë dhe është kthyer brenda ditës.

Një në njërën nga vizitat e tij, siç thuhet në aktakuzë, institucionet e sigurisë e kanë përcjellë Selimin prej kur ka dalë nga banesa e tij në Prishtinë e deri kur ka mbërritur në Vranjë, e prej ku janë shkrepur edhe fotografi të takimit të Selimit me Babiçin dhe me një person tjetër, të identifikuar me emrin Nikolla.

Pas arrestimit, Selimit i janë konfiskuar tre telefona në të cilët janë gjetur materiale të shumta që ai i ka ruajtur për t’ia përcjellë BIA-s.

Në një nga komunikimet me SMS, Selimi ka shprehur shqetësimin për arrestimin e Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit nën dyshimin për spiunazh.