Policia e Kosovës, raporton se sot rreth orës 10:00 ka ndodhur një grabitje e armatosur në bankë TEB.
“Grabitja ka ndodhur në filialin e bankës TEB në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë”, thuhet në raport.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve. Personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë”, thuhet tutje, transmeton Koha.net.
Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre.