Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Gjykata s’aprovon paraburgimin e drejtorit të “Visametricut”, i cakton dorëzani në vlerë 15 mijë euro

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur kundër masës së paraburgimit ndaj drejtorit të “Visametricut”, shtetasit turk S.O.

S.O. i është caktuar masa dorëzanisë prej 15 mijë eurove. Atij i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit.

Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte kërkuar paraburgim prej një muaji ndaj S.O., për mosekzekutim të vendimit të gjykatës.

“Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform nenit 184 paragrafi 1 të KPPRK-së, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit, konform nenit 179 paragrafi 1 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim e Gjykatës.

Gjykata Komerciale kishte vendosur që “Visametric” të ndalonte t’u kërkonte qytetarëve 30 euro për t’ua kthyer atyre pasaportën me postë pasi të aplikonin për vizë në Ambasadën e Gjermanisë. Po ashtu u obliguar “Visametric” që të kompensonte qytetarët që kishin paguar atë tarifë.