Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada gjermane reagon për çështjen e “VisaMetricut”

Ambasada gjermane në Kosovë ka reaguar lidhur me çështjen e "VisaMetricut", operatori nëpërmes të cilit, aplikuesit për vizë në Ambasadën e Gjermanisë paguanin shërbim postar për kthim të pasaportës, në vlerë prej 30 eurosh.

Ambasada ka thënë se është në dijeni për arrestimin e drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të "VisaMetricut" dhe se “me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij”.

Ky është reagimi i parë publik i ambasadës për këtë çështje. Duke sqaruar gjithë ngjarjen, ambasada ka thënë se pas saj, të gjithë aplikuesve u është dhënë mundësia të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë.

“Pasditen e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër 'VisaMetric', në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë. VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij. Pas kësaj, dhe që nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme”, thuhet në komunikatë.

Ambasada ka njoftuar se personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen.

“Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, 'VisaMetric' e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqën e saj të internetit”.

Ndërkaq, kjo ambasadë ka sqaruar edhe çështjen e ruajtjes së të dhënave personale nga operatori i kontraktuar nga ajo. Në këtë rast, 'VisaMetricu' mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane.

Edhe Nisin fluturimet direkte drejt Karlsruhe/Baden dhe Brukselit Reklama 3 j. më parë Nisin fluturimet direkte drejt Karlsruhe/Baden dhe Brukselit

“Të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar. Këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm 'VisaMetric'. 'VisaMetric' edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë”.

Në komunikatë e saj, ambasada ka thënë se vazhdimisht ka kryer kontrolla në 'VisaMetric', duke theksuar se kjo kompani nuk ka pasur asnjë lidhje me Rusinë.