Shoqëria e Avokatëve “RPHS Law”, që përfaqëson kompaninë “Visametric”, ka njoftuar të martën se do ta respektojnë vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale për ndalimin e detyrimit të pagesës prej 30 eurosh për kthim të pasaportës.
Më 9 maj, Gjykata Komerciale pati marrë vendim që kompanisë “Visametric” t’i ndalohet që t’i detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për kthim të pasaportës kur aplikojnë për viza në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
Vendimin e Gjykatës, “Visametric”-i ka thënë se do ta respektojë.
“Në cilësi të përfaqësuesit të autorizuar të kompanisë Visametric Sh.P.K., (“Visametric”) ju njoftojmë se ne sot kemi pranuar Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale lidhur me Aktvendimin e Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale mbi caktimin e masës së sigurisë ndaj kompanisë Visametric. Duke qenë se Ankesa e Visametric, ndaj Aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë është refuzuar dhe Aktvendimin e kemi pranur sot, Visametric do të respektojë Aktvendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftimin e “RPHS Law”.
Avokati Flamur Abdullahu pati njoftuar se ky vendim është marrë pas padisë kolektive që ka bërë ai ndaj kësaj kompanie lidhur me këtë çështje.
Edhe
Ambasada gjermane reagon për çështjen e “VisaMetricut”
Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka deklaruar në KTV se shuma e personave që mund të rimbursohen nga “Visametric”-i është rreth 10 mijë euro. Për rastet e rimbursimit, Arifaj ka thënë se duhet të merret Gjykata Komerciale.
Në shtator të vitit të kaluar, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kishte bërë të ditur marrëveshjen që kishin arritur me “Visametric”. Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, Ambasada gjermane nuk e ka komentuar rastin.