Policia e Kosovës ka gjetur të mërkurën gëzhoja të pistoletave dhe një pushkë automatike (AK 47) në fshatin Vlashnje të Prizrenit, pas pranimit të informatave për gjuajtje me armë zjarri në një dasmë në këtë fshat disa ditë më parë.
Sipas njoftimit të policisë, tre të dyshuarit për gjuajtje me armë zjarri janë të njohur për policinë, por gjenden jashtë shtetit.
“Pasi që është marrë informata se më 24.07.2022, në fshatin Vlashnje, në një familje, gjatë një dasme ka pasur gjuajtje me armë zjarri, policia, konkretisht Stacioni Policor Prizren, ka kryer veprime hetimore-operative dhe ka arritur që ta identifikojë lokacionin e saktë dhe personave që kanë gjuajtur me armë të zjarrit dhe atë tre arme të tilla. Me datë 17.08.2022 rreth orës 09:00 është kryer bastisje në lokacionin e parë në fshatin Vlashnje. Gjatë bastisjes janë gjetur gëzhoja të dy armëve të vogla (pistoleta), kurse asnjë armë nuk është gjetur. Në procedim të rastit kemi pranuar informata shtesë për personat e dyshimtë dhe gjatë bastisjes në dy lokacione të tjera, po në Vlashnje, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike (AK 47), kurse tre të dyshuarit për gjuajtje me armë zjarri janë të njohur për policinë por gjenden jashtë shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.