Mëngjesin e së hënës është gjetur pa shenja jete 86-vjeçarja që u raportua e zhdukur në Rahovec.
Vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor në një fushë të hapur mes fshatit Ratkoc dhe Vrajak, e Policia e Kosovës ka iniciuar rastin si “hetim i vdekjes”.
“Sot derisa kemi qenë në verifikim të informatës për një të moshuar të zhdukur, jemi informuar se e njëjta (femër e lindur në vitin 1937) sot në mëngjes është gjetur pa shenja jete në fushë të hapur në mes të fshatit Ratkoc dhe Vrajak-Rahovec (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen)”, ka njoftuar për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës gjatë dielës kishte dalë në kërkim të 86-vjeçares.
“Bëhet fjalë për një 86-vjeçare e cila ka dalë nga shtëpia rreth orës 16:00 dhe nuk është kthyer më. Familjarët përkundër kërkimeve nuk kanë mundur ta gjejnë, për çka e kanë kontaktuar edhe Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës. Skuadra ka dalë në terren dhe ka nisur kërkimet”, thuhet në përgjigjen për KOHËN.