Kronikë

Gjendet e gjallë 26-vjeçarja nga Skenderaj

Është gjetur e gjallë Egzona Ferati nga komuna e Skenderajt, e cila ditë më parë ishte raportuar e humbur.

Kryetari i komunës, Bekim Jashari, ka njoftuar se ajo është gjetur në fshatin Gllanasellë dhe se ekipi mjekësor do t’i japë ndihmën e parë.

“Tani ekipi mjekësor do të ofrojë ndihmën e parë dhe do të na njoftojë për gjendjen e saj shëndetësore”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Egzona Ferati nga fshati Çirezë i komunës së Skenderajt, sipas familjarëve, ka më shumë se një javë që është zhdukur. Ata kishin kërkuar edhe ndihmën e redaksisë së KOHËS për ta gjetur vajzën 26-vjeçare.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë se vajza është gjetur në fshatin Çikëtove të Vjetër të Drenasit, ku më pas është marrë nga autoritetet për tretman të mëtutjeshëm.

“Në orët e paradites së sotme është gjetur 26 vjeçarja e cila ishte raportuar e zhdukur nga data 19 tetor 2020. Që nga data e raportimit 19 tetor 2020, njësite policore në Skenderaj, në mbështetje të grupeve të vullnetarëve e qytetarëve të vullnetit të mirë në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime të përbashkëta në kërkim të vajzës së zhdukur. Ndërsa sot rreth orës 11:00, në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit, është gjetur 26 vjeçarja, ku më pas është marrë nga autoritetet mjekësore për tretman të mëtutjeshëm. Policia e Kosovës, falënderon grupin e vullnetarëve dhe gjithë qytetaret që kontribuuan dhe ndihmuan në gjetjen e vajzës së zhdukur”, thuhet në njoftimin e Policisë.